Ndre Mjeda, poet i shquar dhe veprimtar patriot. Lindi në Shkodër në një familje të varfër të zbritur nga fshati Mjedë. Mësimet e para i ndoqi në Shkodër, më pas u dërgua për studime të mesme dhe të larta teologjike në disa vende në Evropë. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci. I dëbuar nga urdhri jezuit për mosbindje, Ndre Mjeda u kthye në atdhe ku u emërua famullitar në fshatra të ndryshme. U lidh që herët me lëvizjen patriotike.
Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Vitet e fundit ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër dhe vdiq në këtë qytet.
