Folja është pjesë ligjëratës që shënon një veprim apo gjendje.
Në gjuhën shqipe ajo ka kategori gramatikore të mënyrës, kohës, vetës, numrit dhe diatezës.
Folje quhen fjalët që tregojnë se subjekti vepron ose pëson diçka ose ndodhet në një gjendje të caktuar.
Kur themi motra, macja, e kuptojmë se është fjala për njerëz, kafshë dhe sende, po nuk dimë se çfarë bëjnë ose çfarë ndodh me ta. Por kur themi motra punon, mollët u poqën, macja fle atëherë prej fjalës punon mësojmë se motra po kryen një veprim (punon), prej fjalës u poqën mësojmë se mollët pësuan diçka (u poqën), prej fjalës fle mësojmë se macja ndodhet në një gjendje të caktuar (fle). Fjalët punon, u poqën, fle janë folje.
Foljet kalimtare dhe jokalimtare Kalimtare quhen foljet veprimi i të cilave i kalon një personi ose sendi tjetër, d.m.th. që pranojnë një kundrinor: Beni çdo ditë lexon gazetën. Foljet që pranojnë një kundrinor të drejtë janë folje kalimtare të drejta: Blerta çdo ditë vadit lulet. Foljet që mund të marrin kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë janë kalimtare të zhdrejta: Iliri i hipi kalit. Ndodh që një folje të marrë njëkohësisht një kundrinor të drejtë dhe një kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë, pra të jëtë njëkohësisht folje kalimtare e drejtë dhe e zhdrejtë Ia dhashë librin Zanës. Ia afrova Zanës tufën e luleve.
Folje jokalimtare janë ato që nuk pranojnë kundrinor: fle, eci, rri, qëndroj, dal etj.: Agroni ecte i shqetësuar. Dje fjeta gjithë ditën.
Disa folje përdoren herë si kalimtare, herë si jokalimtare. për të gjetur se cilit grup i përkasin duhet parë se në ç’kuptim janë përdorur.
Continue reading →