Legjenda M, Një satirë e dhimbshme
13 kapituj për 13 pikë llotarie pyetjesh.
Intervistë me Krenar Zejno
Krenar Zejno pas poemave dhe vëllimeve të tij me poezi, më së fundmi ka ardhur para lexuesit me librin e tij në prozë “Legjenda M”. Për Kult Zejno tregon se çfarë sjell ndryshe në Letërsinë shqipe “Legjenda M”, ku është frymëzuar dhe çfarë presim më tej.
1. Ka pak muaj që qarkullon “Legjenda m”, libri juaj i fundit, ndërsa pritet edhe vëllimi i dytë. Së pari, a ka një masë përmes së cilës maten kategori si “e keqja” apo “e shëmtuara” në lëndën e një romani?
Një Zot e di! Pikësëpari është vetë Ai, që me veprën e tij kompozoi realitetin e dhënë, realen bashkë me të pështirën e vet, që e mbartim me vete tok me gjërat që brënda gjithësecilit ngjizen edhe me të shëmtuarën e të Keqen. Për pjesën e artit i janë përgjigjur kësaj pyetje të mëdhenjtë shkrimtarë, qysh herët e deri te piktorët Duschamps, Dubuffet e më tej.
2. Kjo lloj satire e dhimbshme sipas jush është atribut i romanit modern?
I romanit pa mbiemër, së pari i vetë romanit, klasik apo modern, qysh prej lindjes së tij, nga Rabelais te Cervantes deri te Swift e Joyce mandej Beckett, Kundera e Kadare, Mc. Ivan e të tjerë… apo dhe filmat që rrjedhin prej tyre nga Pasolini te Kubrick.
“Satira, tha Swift, është një pasqyrë paksa speciale: kush shihet në të, njeh jashtëqitjet e gjithë të tjerëve”.
Rabelais, gjeniu prej të cilit nisi gjinia e romanit – na e kujton gjithëherë Kundera – tregon se Gargamella, që ishte me barrë, hëngri gjithatë plëndës, sa që u detyruan t’i jepnin ilaç për ta bërë kaps, kështu fetusi i të paudhit Gargantua u vërvit në damar të aortës dhe duke u ngjitur sipër përfundoi të dalë nga veshi i majtë.
Mezi e prisja që satira e mjeshtrit ta kishte pjellë nga prapanica. Dhe po prisja që Rabelais ta zgjidhte si një rrugë e dy punë, me një gur dy zogj: pra, bashkë me shpikjen e artit të ri- romanit, të na pararendte edhe profecinë mbi lindjen e Njeriut të Ri.
3. Nuk ke ndonjë pendesë për këtë shpërfaqje të së keqes së krupëshme?
Jo dhe aq! Për mua të voglin do të mjaftonte fakti që vetë Yahveh u pendua pse pat krijuar njeriun, duke parë me ç’ligësi shkonte drejt së keqes ky ditëzi. Pastaj, e keqja mbetet arti bazë i njeriut, për më tepër këtu, në një botë libër.
Continue reading →