Londër, 1984. Bota është ndarë në tri shtete të mëdha, dy prej të cilave janë në luftë me njëri-tjetrin. Oqeania është shoqëria utopike, e qeverisur sipas parimeve të Socanglit, domethënë nga ideologjia e komunizmit anglez, e cila bazohet mbi autoritetin e pakundërshtueshëm të kreut karizmatik, Vëllai i Madh, që di gjithçka dhe është gjithkund. Sytë e tij janë telekamera që përgjojnë nëpër banesa, krahu i tij është psikopolicia, që ndërhyn sapo i lëvrin krimbi i dyshimit për ndonjë psikokrim. Ndërgjegjja e tij mbërrin të futet tek ajo e njerëzve të thjeshtë e u shkakton atyre ndjenja faji a tmerri sapo t’ua përshkojë mendjen ndonjë herez?. Gjithçka lejohet: të mendosh, kuptohet, nëse pajtohesh me mendimin e Socanglit; të dashurosh, nëse e bën në emër të vazhdimësisë së shoqërisë së përkryer; të dëfrehesh, nëse ndjek programet televizive të propagandës së Partisë.
Winston-i, “i fundmi njeri në Evropë”, dhe shoqja e tij përpiqen të mos humbasin dinjitetin si qenie njerëzore. Të fundosur tanimë në ideologjinë e Vëllait të Madh, ata përpiqen ta luftojnë atë nga brenda Partisë, por çdo rebelim kundrejt atij që ia del të kontrollojë vetëdijet, përfundon me disfatë.
“1984”, vepra tronditëse që Orwell-i shkroi mbi utopinë negative, përshkruan dhe merret gjerë e gjatë me ARMËN MË TË FUQISHME që Vëllai i Madh ka dhe përdor për të vepruar mbi vetëdijet e për t’i dhunuar ato me dogmat ideologjike – me gjuhën a më saktë me gjuhën e sotme që Orwell-it i pëlqen ta quajë NEOGJUHË.
NEOGJUHA (Newspeak) është një sistem gjuhësor i përpunuar arbitrarisht nga teknikët e Partisë, në të cilën çdo term mëveshët VETËM me domethënien që i shkon më për shtat parimeve ideologjike të diktaturës së Socanglit. Në themel të komunikimit nuk qëndron më një parim i miratuar nga të gjithë folësit.
Porse funksioni i gjuhës nuk është thjesht komunikimi me të tjerët e me vetveten; sikurse pohojnë teoricienët e relativitetit gjuhësor (Sapir, Whorf, etj.,) ajo (gjuha) u lejon “të mbruajnë konceptimin e botës mbarë”.
“Sistemi gjuhësor bazë i secilës gjuhë, – shkruan Whorf-i, – nuk është vetëm mjet riprodhues i ideve, por ai u jep formë ideve, është, si të thuash, prijësi i veprimtarisë mendore të individit”. Bota ngjan me një kaleidoskop të çrregullt mbresash që duhen renditur e sistemuar nga mendja, dhe në një masë të madhe këtë funksion e përmbush sistemi gjuhësor i mendjes sonë.
Shndërrimet gjuhësore që kryen apriori një utopist apo diktator, zbulojnë sesi ai dëshiron dhe dikton të kryhet interpretimi i realitetit. Ky vëzhgim që sapo bëmë na kujton thënien e njohur të Wittgenstein-it: “Caqet e gjuhës sime janë dhe caqet e botës sime” .
Kështu pra, roli parësor i NEOGJUHËS është “të thjeshtojë deri në palcë mundësitë e mendimit”, në mënyrë që t’u presë rrugën parimeve dhe vlerave që nuk përputhen me ato të diktuara nga Partia; dhe “… kur të mbërrihet në fund, krimi i mendimit, apo psikokrimi do të jetë krejt i pamundur, ngaqë s’do të ekzistojnë më fjalët për ta ngjizur atë”. Në këtë mënyrë e paraqesin objektivin e tyre të punës gjuhëtarët që ka zgjedhur Partia për HARTIMIN E NEOGJUHËS. Ky objektiv gërshetohet me sloganin: “Revolucioni do të marrë fund vetëm kur NEOGJUHA të jetë e përkryer”.
Përmes manipulimit të gjuhës u zhdukërka, pra, çdo mundësi për të mbrujtur një mendim të kundërt me ideologjinë në fuqi, pasi zhdukja fillon që në rrënjë, pra që te mundësia për të menduar.
Dhe në fakt, Sapir-i shkruan: “Pyetjes nëse mund të mendohet pa ndihmën e gjuhës, shumica e njerëzve do t’i përgjigjej po (…); përshtypja që shumë kanë se mund të mendojnë e madje edhe të arësyetojnë pa ia patur nevojën gjuhës, është thjesht iluzion (…). Në të vërtetë, sapo rrekemi të vendosim një lidhje të vetëdijshme mes dy figurave, e ndjejmë së po rrëshqasim në një rrjedhë të heshtur fjalësh”.
Ky formulim i Sapir-it tashmë është vërtetuar tej e tej. Etnolinguistika ka dëftuar sa e pabazë është përshtypja se gjuha s’na qenka veçse një stol? e mendimit dhe se ky i fundit është kaq i pavarur nga gjuha, saqë nuk shndërrohet aspak me shndërrimin e saj. Etnolinguistët me studimet e tyre dëftojnë se ligjet e logjikës janë ngushtësisht të lidhura me ligjet e gjuhës. Gjuha, ndërkohë që na mundëson të komunikojmë një mesazh, është duke krijuar vetë përmbajtjen e tij. Nën dritën e këtij pohimi të fundit, le t’i kthehemi edhe një herë asaj që Orwell-i thotë në apendiksin e “1984”:
“Qëllimi i NEOGJUHËS nuk ishte vetëm të krijonte një mjet shprehës për konceptimin e botës dhe për shprehitë mendore të ithtarëve të Socanglit, por sidomos, qëllimi i saj qe zhbërja e çdo forme tjetër mendimi” . NEOGJUHA është e lidhur ngushtë me ideologjinë që i duhet të shprehë. Socangli bazohet te autoriteti i padiskutueshëm i Vëllait të Madh; çfarëdolloj mendimi në kundërshtim me ideologjinë ishte herez?, ndaj dhe jo vetëm dëbohej, por asgjësohej qëkurse nxirrte krye, e gjuha kjo përmes një terrorizmi të mirëfilltë gjuhësor.
ARKEGJUHA (Oldspeak), është gjuha e përditshme e të gjithëve, ajo që përdorej para Socanglit, dhe fati i saj është të zëvendësohet thuajse krejt nga NEOGJUHA. Dhe në fakt lejohen të mbijetojnë vetëm ato fjalë apo shprehje që kanë kuptimin e pranueshëm nga anëtarët e Partisë, ndërkohë që gjithë ngjyresat e kuptimet e tjera përjashtohen, asgjësohen. Po japim veç një shembull:
“Fjalën I LIRË e gjenim sërish te NEOGJUHA, por mund të përdorej vetëm në fjali të tipit: KJO FUSHË ËSHTË E LIRË NGA BARËRAT E KËQIJA, apo tjetër, KY QEN ËSHTË I LIRË NGA PLESHTAT. Porse nuk mund të përdoret në kuptimin “antik” si “politikisht i lirë” apo “intelektualisht i lirë”, meqenëse liria intelektuale nuk ekzistonte më, as edhe si koncept”.
Shkurtimet në fjalor nuk prekin vetëm fjalët politike, por edhe ato që mendohen si të tepërta e të panevojshme, qëkurse ajo çka shprehin nuk ekziston më. Gjuhët në përgjithësi synojnë drejt ekonomisë së shprehjes, ndaj dhe shprehje që dalin jashtë gjuhës së përditshme, priren të bjerren, por në diktaturë kjo nuk ndodh në mënyrë të natyrshme, pasi ekonomia shprehëse e NEOGJUHËS mbikqyret e dhunohet.
Kërkesa të reja, vlera të reja, perspektiva të reja kanë dalë në pah nga shoqëria perfekte, ku Partia i ka caktuar gjithkujt e gjithçkaje një vlerë dhe një funksion, sikurse çdo fjale i ka caktuar një kuptim të vetëm, të cilin askujt s’i lejohet ta interpretojë. Aspekti politiko-ideologjik, pra, mbërrin kulmin tek Revolucioni Gjuhësor. Fjalët e NEOGJUHËS grupohen në tri klasa të veçanta: “Fjalori A , Fjalori B , Fjalori C”.
Fjalori A përmban fjalë të përdorimit të zakontë, ato që përdoren në bisedat e përditshme e që shërbejnë për të përshkruar veprime – shpreh? (vishem, eci, ha…). Të gjitha fjalët e Fjalorit A kanë një domethënie të vetme e lidhen me objekte konkrete apo veprime materiale; përdorimi i tyre në kontekste të tjera është i pamundur, pasi ato janë zhveshur nga ngjyresat semantike që mund t’i përfshinin edhe tjetërkund më gjerë, si fjala vjen në politikë apo në filozofi.
Fjalori B përmban fjalët të krijuara enkas dhe me vetëm për qëllime politike. Këto fjalë kanë jo vetëm kuptim politik, por kanë gjithashtu edhe funksionin politik të drejtojnë veprimtarinë mendore të atij që merr e i fut në bisedat e tij. Sikur të ishin një kod stenografie, me fjalët e fjalorit B mund të përmblidhet në ca rrokje një sistem i tërë mendimesh. Në sa më pak fjalë të përmblidhen, aq më të qarta e të padiskutueshme janë parimet ideologjike.
Veçoria kryesore e fjalëve të fjalorit B është këmbyeshmëria me sho-shoqen: çdo fjalë mund të zerë çfarëdolloj vendi në fjali, pra, mund të përdoret edhe si folje, edhe si emër, edhe si mbiemër. Nuk respektohet kurrfarë parimi morfologjik: në disa raste fjala as që eptohet, cilado qoftë natyra e saj, në disa të tjera merret rrënja e ndyshojnë vetëm sufiksat që i mballosen me radhë e sipas nevojave. Citojmë veprën:
“Thus, for example, speedful meant “rapid” and speedwise meant “quickly” (…) any adjectival meaning could be arrived at by adding -ful to a noun-verb. ”. Çdo lloj kuptimësie mbiemërore, pra, mund të arrihej fare thjeshtë, mjaft t’i shtohej – shëm emrit foljor.
Po kështu veproi NEOGJUHA edhe me çiftet antonimike, ku mjaftonte t’i shtoje njërës gjymtyrë të çiftit parashtesën mohore, ta zemë “pa-” ose “mos-” (në origjinal “un-”), ndërsa shkallët e mbiemrave, sipërore dhe krahasore, u vendos të formoheshin me parashtesat “bisplus-” dhe “plus-” (në origjinal “doubleplus-“ dhe “plus-“ ). Zinxhiri zgjatet tej e më tej edhe me foljet, me shumësat e emrave e kështu me radhë.
Fakti që ndalemi në përshkrimin e imtësishëm të këtyre hollësive leksiko-gramatikore të NEOGJUHËS, nuk do marrë si akt hermetik pedantizmi nga ana jonë, por është i rëndësishëm për të kuptuar strukturën e shoqërisë në diktaturë. Nga ky përshkrim po ashtu vetëkuptohet edhe gjithë ai përthjeshtim i skajshëm që i bën gjuhës NEOGJUHA. Përthjeshtimi në fjalë nuk ka për qëllim t’u lehtësojë banorëve nën regjim përdorimin e gjuhës së re; roli i tij është veçse politik: racionalizmi i strukturave gjuhësore duhet t’i tregojë gjithkujt racionalizmin e strukturave ekonomike e politike të ngritura nga Partia. Në veçanti fjalët e fjalorit B formohen nga stisja e dy a më shumë termave, që në përgjithësi janë një emër dhe një folje. Shprehja “mirëmendon” (goodthink) do të thotë “ortodoksi”, ndërsa tjetra, “barkndjej” (bellyfeel) shpreh miratimin e gëzueshëm të ideologjisë. Shprehje të tilla, në fakt nuk shprehin aspak domethënie, por i shkatërrojnë, e bashkë me to shembin edhe vlerat e shoqërisë pararendëse. Kështu fjala “psikokrim”, të cilën e përmendëm qysh në krye të këtij shkrimi, përmbledh e flak fjalë si lir?, baraz?, drejtës?, moral, demokrac? , e bashkë me këto fjalë flak edhe konceptet që ato shenjojnë. Të gjithë “ftohen” të miratojnë parimet e Partisë; ata që hezitojnë, janë kontingjent psikokrimi, ndaj dhe, për t’i shpëtuar dënimit me vdekje, duhet t’i nënshtrohen një procesi riedukues që zë fill pikërisht nga gjuha e tyre.
Shumë fjalë të NEOGJUHËS janë eufemizma, po shpesh aq të tepruara sa kthehen në të kundërt të termit që zëvendësojnë, siç ndodh, ta zemë, kur Ministria e Luftës” emërtohet “Ministria e Paqes”, Ministria e Punëve të Brendshme si “Ministria e Dashurisë”, apo Kampi i Punës së Detyruar si “Kamp Dëfrimi” (në origjinal “joycamp ”).
Të gjitha emërtimet e institucioneve, organizatave, zyrave, ndërmarrjeve, shkurtohen dhe përdoren me iniciale. Orwell-i vëren:
“Prirja për të përdorur shkurtime me iniciale njihej kryesisht në Vendet me regjim totalitar, apo në organizatat totalitariste (Nazi, Gestapo, Komintern)”.
Shkurtimi i termit sjell me vete një tjetërsim gati të pakapshëm të kuptimit të tij, pasi ajo fjalë kthehet në simbol të një koncepti e vetëm të atij, duke iu shmangur kryekëput çdo interpretimi të mëtejshëm. Duke analizuar në këtë këndvështrim fjalën Komintern dhe duke e krahasuar me shprehjen e plotë “Internacionalja Komuniste”, vihet re menjëherë se e para i referohet diçkaje të cilën e përqasim menjëherë, sikur të kishim përpara një ikonë (një organizatë e dhënë, që ka një doktrinë të përcaktuar në themel të saj); shprehja e dytë ka një kuptimësi jo kaq të thjeshtëzuar, “e cila – thotë Orwell-i – të detyron të vonohesh paksa, qoftë edhe për pak çaste”. Fjalët e NEOGJUHËS ngjajnë me njëra – tjetrën si në zanim edhe në morfologji. Ato janë të ndërtuara në mënyrë mekanike, duke montuar pak rrokje, ndërsa tingujt e tyre janë monotonë, përsëritës e të ashpër. Veçori të tilla, aspak të rastësishme, përkojnë me një logjikë të ditur: ligjërata, sidomos ajo olitike, duhet të lindë në mënyrë automatike, pa ndihmën e një mejtimi paraprak“ si ndonjë breshëri plumbash mitralozi”; meqenëse gjuha shkrihet me frymën e ideologjisë, çdo arsyetim e mejtim mbi mundësitë fjalëpërzgjedhëse i bie të jetë krejt i kotë. Nëse fjala që duhet të shprehë një koncept ekziston, ai koncept është doemos i vlefshëm, pra në përputhje me ideologjinë; në të kundërt, kot sa kërkohet të gjendet shprehja më e përshtatshme për një koncept që s’ka si të ekzistojë, pasi është heretik e i bie ndesh kësaj ideologjie. NEOGJUHA përmban, pra, një numër fort të kufizuar fjalësh dhe filologët e Partisë përpiqen të heqin çdo fjalë që nuk u duket e domosdoshme: sa më të pakta mundësitë e zgjedhjes, aq më e mpakur edhe ngasja për t’i çelur shteg mendimit.
Fjalori C është shtojcë e dy të parëve dhe përmban terminologjinë tekniko-shkencore. Çdo punëtor i specializuar “mund t’i gjente aty të gjitha fjalët që i duheshin profilit të tij, por rrallë u hidhte edhe nga një vështrim rrëmbimthi listave me fjalë për profilet e tjera”. Specializimi, si rrjedhojë e zhvillimit të vrullshëm të teknologjisë, ndesh për së pari te gjuha. Gjuha e shkencës dhe e teknikës nuk ka si të përbëhet nga një fjalor i njëjtë e i përbashkët për të gjithë shkencëtarët dhe teknikët, dhe ky është një kusht i domosdoshëm për debatin dhe ecurinë shkencore. Në themel të pamundësisë së shkëmbim-bashkëpunimit intelektual qëndron po i njëjti parim që gjejmë edhe në pamundësinë e pluralizmit ideologjik e të tregut ekonomik: e vetmja shkencë, i vetmi organizim ekonomik, e vetmja ideologji është IDEOLOGJIA E Partisë.
Kështu pra, fshi të djeshmen e shpik të sotmen! Që te Platoni, në fakt, vëmë re këtë nevojë të ankthshme për të shkatërruar veprat e së kaluarës e për të ndërtuar Qytetin e Përkryer. Tek “Republika” filozofi shpall se telajo që paraqet karakterin dhe botën e brendshme të qytetarëve “do pastruar sa s’ka më”. Partia do që e kaluara të jenë vetëm fazat e ecurisë së saj. Vetëm kaq. Sloganet e Partisë janë fjali të rëndomta e kundërshtake, por janë dogma, ndaj është e ndaluar të ndalesh e të shquash në to mospërputhjen e dukshme mes kryefjalës e kallëzuesorit :
“LUFTA ËSHTË PAQE”
“LIRIA ËSHTË SKLLAVËRI”
“PADIJA ËSHTË FORCË”
Jo rastësisht, pra, në realitetin tonë shqiptar tingëlloi pa zor slogani:
“DIKTATURA E PROLETARIATIT – DEMOKRACI E VËRTETË”
Idetë e konceptet e njerëzve atrofizoheshin nëpërmjet këtij aksioni gjuhësor. Dhe sikur dikush të merrte zemër e të donte t’i hidhte poshtë, nuk do të gjente dot fjalët që i duheshin: fjalori i ri nuk i përmban më fjalë si demokraci, liri, njohje. NEOGJUHA është e fuqishme, ajo e sulmon mendimin dhe e shkatërron që sapo lind.
“Winston-i ndjente sikur i qe formuar një boshllëk, sikur i kishin hequr një pjesë truri (…). Ditën që ARKEGJUHA do të zëvendësohej njëherë e mirë nga NEOGJUHA, do të merrte fund edhe e fundmja lidhje me të kaluarën”.
Gjuha është baza e mendimit, ne mendojmë duke folur dhe të menduarit intim është një bashkëbisedim i vërtetë që në bëjmë me veten. Stuhia e totalitarizmit copëton strukturat e gjuhës ende para se t’ia nisë të veprojë mbi shoqërinë, pasi vetëm duke fshirë ç’mban mendja, duke bërë, pra, “tabula rasa”, e ka mëse të mundur mandej të regjistrojë një mënyrë të re mendimi, atë që dikton Vëllai i Madh.
E gjithë kjo analizë u krye jo dhe aq për të nxjerrë në pah vlerat e padiskutueshme të “1984” së Orwell-it, por me dashjen për të qartësuar disi (me anë krahasimesh) këtë situatë ngërçi në të cilën ndodhet shqipja (sidomos niveli i mesëm i regjistrave të saj). Harresa gjuhësore, dikur e diktuar (sikurse tek “84”) e sot pllakosëse gati si një refleks biologjik i kushtëzuar, është ajo që tani lodh e mundon mendimin e shqipfolësve, duke krijuar, sipas rastit herë vërshime huazimesh të panevojshme, herë anoreksi të mendim-shprehjes së tyre. Shqipja Standarde ka nevojë të marrë frymë lirshëm, ka nevojë të ndjejë e të përgjojë çdo formë ekonomike që ofrohet nga idiolektet e çlirëta që i gëlojnë përreth. Carpe diem -i i saj është tani, pikërisht në këtë Babel shtresash demografike e sociale, bashkë me kulturat gjuhësore që gjithsecila shtresë bart e pranëvë. Vullneti njerëzor, qoftë edhe prej gjuhëtar-gjeniu, është fort i vogël e i pamjaftë për t’iu ushtruar vullnetit të gjuhës – nuk do harruar se ajo është produkt social, ndaj dhe do të ndjekë rrjedhën më të thjeshtë e më të mirë që do të zgjedhë përdoruesja e saj, shoqëria. Mund të vendosen ex cathedra gjithfarësoj normash gjuhësore, po sa për mbarë do t’i vijnë ato përdorimit të përditshëm social? “Usus magister est optimus ” thoshte Ciceroni, dhe, pa dashur të rrëshqas në një sërenditje citimesh dhe emrash të shquar, po e mbyll më një vëzhgim mjaft të dobishëm të Noam Chomsky-t:
“Arritja më e madhe gjuhësore e shek. XX qe krijimi i bindjes, së paku ndër gjuhëtarë, se gjuhësia duhet të jetë përshkruese e jo normuese”.
* * *
“Dhe u rrek të përfytyronte si na ish flaka e një qiriu të shuar, por s’po i kujtohej ta kish parë ndonjëherë…” – (marrë nga “Liza në Botën e Çudirave” ).
(Marrë nga tirana-lingua)

May 23rd, 2009
ABCShqip
Postuar në 

